Politikë

“Nuk largohemi pa dorëheqjen e Kryeministrit” – vijon dita e 23-të e protestës në Tiranë

A24News
A24News
22.06.2026 · 1 min read
“Nuk largohemi pa dorëheqjen e Kryeministrit” – vijon dita e 23-të e protestës në Tiranë

Protestuesit kanë artikuluar kërkesa të forta politike, duke theksuar se largimi i kryeministrit është një kusht i panegociueshëm. Sipas tyre, protesta përfaqëson një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila nuk lidhet me një strukturë të vetme organizative.

Në deklarimet e tyre, disa pjesëmarrës kanë ngritur shqetësime mbi situatën ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe nivelin e ulët të pagave. Gjithashtu, ata kanë akuzuar qeverinë për, siç u shprehën, një “agjendë shpopulluese”.

Një prej protestuesve iu referua edhe rasteve të ndjekjeve penale ndaj ish-zyrtarëve në Spanjë, duke kërkuar që edhe në Shqipëri institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të ngjashme ndaj zyrtarëve të lartë, nëse provohen shkelje ligjore.

“Dorëheqje dhe qeveri teknike. Nëse kjo qeveri nuk reagon, do të ketë përshkallëzim dhe këtë e vendos sovrani, populli”, u shpreh një protestues, duke paralajmëruar intensifikim të mëtejshëm të protestave.

Ndërkohë, një tjetër qytetare theksoi se protesta nuk ka një organizator të vetëm, por përfaqëson një lëvizje të gjerë qytetare, e cila, sipas saj, kërkon largimin e kryeministrit për shkak të asaj që e cilëson “sistem autokratik”.

Ajo nënvizoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe se pjesëmarrësit nuk do të tërhiqen deri në realizimin e saj. /Noa

A24News
A24News

The A24News editorial desk.

Comments (0)

  • Be the first to comment.

Related Stories