Parlamenti Evropian ka miratuar një amendament, që kërkon zgjidhjen e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe provimin e Jurisprudencës.
Në tekstin e miratuar, eurodeputetët u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që ta adresojnë sa më shpejt këtë problem, duke garantuar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në frymën e saj.
Amendamenti i miratuar thekson se respektimi i të drejtave gjuhësore të shqiptarëve mbetet një element kyç për avancimin e barazisë dhe bashkëjetesës ndëretnike në vend. Për këtë arsye, Parlamenti Evropian kërkon që autoritetet në Shkup të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar që studentët shqiptarë të kenë mundësi të barabarta në proceset arsimore dhe profesionale.
Po ashtu, eurodeputetët kanë kundërshtuar mënyrën se si janë paraqitur protestat e studentëve shqiptarë, duke kërkuar që ato të mos etiketohen si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues. Sipas tyre, kërkesat e studentëve lidhen me respektimin e të drejtave të garantuara me ligj dhe me Marrëveshjen e Ohrit, ndaj ato duhet të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale.




