Të dhënat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) tregojnë se prodhimi vendas i energjisë elektrike u rrit me ritme shumë më të larta sesa konsumi, duke reflektuar kushtet e favorshme hidrike dhe zgjerimin e kapaciteteve fotovoltaike.
Sipas OST, ngarkesa totale në sistemin e transmetimit arriti në 569.5 GWh në muajin maj 2026, nga 530.3 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje prej 7.4%, duke treguar zgjerimin e kërkesës për energji në ekonomi dhe konsum më të lartë nga familjet dhe bizneset.
Megjithatë, zhvillimi më domethënës është ai i prodhimit vendas. Në maj 2026, prodhimi total i energjisë elektrike arriti në 811,901 MWh, krahasuar me 568,260 MWh në maj 2025. Rritja rezulton në rreth 42.9%, ose afro 244 mijë MWh më shumë energji të prodhuar brenda vendit.
Pesha kryesore e këtij prodhimi vijon të mbahet nga hidrocentralet me rezervuar. Këto centrale prodhuan 474,735 MWh në maj 2026, nga 357,442 MWh një vit më parë, me një rritje prej 32.8%.
Rritje edhe më të fortë shënuan hidrocentralet me derivacion, prodhimi i të cilëve arriti në 235,029 MWh, kundrejt 145,405 MWh në maj 2025. Në terma vjetorë, kjo kategori regjistroi një zgjerim prej rreth 61.6%, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e prodhimit vendas.




